17/04/2026
Njoftim për Importuesit dhe subjektet prodhuese
Dogana e Kosovës njofton të gjithë importuesit dhe subjektet prodhuese se, me qëllim të evitimit të pritjeve dhe vonesave gjatë përfitimit nga lirimet nga detyrimet doganore, konform vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për linjat dhe makineritë e prodhimit (procedura LMP), është e domosdoshme që para realizimit të importit të sigurojnë se në regjistrin e biznesit pranë Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) është e regjistruar qartë veprimtaria përkatëse prodhuese.
Përditësimi i saktë i të dhënave të biznesit:
lehtëson shqyrtimin e kërkesave për lirim nga detyrimet,
shmang vonesat gjatë procedurave të zhdoganimit,
përshpejton procesin e trajtimit doganor.
Inkurajohen të gjitha bizneset që, përpara paraqitjes së deklaratës doganore, të verifikojnë dhe sipas nevojës të përditësojnë veprimtarinë e tyre në ARBK, në përputhje me natyrën e pajisjeve apo makinerive që importohen për qëllime prodhimi. Në rast se biznesi nuk e ka të regjistruar veprimtarinë e saktë prodhuese, mallrat mund t’i nënshtrohen pritjeve derisa të bëhet regjistrimi i duhur. Kjo situatë nuk është në interes të Doganës, sikurse që nuk është as në interes të bizneseve.